Ky studim analizon kalimin drejt përdorimit të makinave elektrike në Shqipëri dhe përfitimet që sjell ky tranzicion në aspektin ekonomik, social, mjedisor dhe urban. Në sfondin e ndryshimeve klimatike, ku Shqipëria kontribuon me një përqindje të ulët të emetimeve globale të CO₂, sektori i transportit përbën një burim të rëndësishëm ndotjeje dhe është thelbësor për përmbushjen e objektivave të dekarbonizimit. Studimi konfirmon se adoptimi i makinave elektrike mund të përmirësojë cilësinë e ajrit, të sjellë kursime të konsiderueshme financiare për përdoruesit dhe të gjenerojë mundësi të reja ekonomike, duke forcuar qëndrueshmërinë mjedisore dhe ekonomike të vendit.
Në këtë kuadër, janë identifikuar përfitime të rëndësishme ekonomike si reduktimi i kostove të mirëmbajtjes dhe përdorimit të energjisë, por edhe përfitime sociale që lidhen me përmirësimin e cilësisë së jetës urbane, reduktimin e ndotjes akustike dhe përmirësimin e shëndetit publik. Përfitimet mjedisore lidhen ngushtë me uljen e emetimeve të gazrave serrë dhe ndotësve të tjerë, duke kontribuar në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë për integrimin evropian dhe Paktin e Gjelbër Evropian.
Megjithëse Shqipëria ka regjistruar një rritje graduale të numrit të automjeteve elektrike dhe ka potencial të lartë për të përdorur burime të pastra energjie – si hidrocentralet dhe panelet diellore – ekzistojnë një sërë pengesash që kufizojnë përhapjen më të gjerë të këtij modeli transporti. Ndër to përfshihen kostoja e lartë fillestare e automjeteve elektrike, nevoja për investime të konsiderueshme në infrastrukturën e karikimit dhe mungesa e një kuadri ligjor gjithëpërfshirës dhe të harmonizuar. Studimi thekson mungesën e rregulloreve të veçanta për standardizimin teknik të stacioneve të karikimit dhe stimulimin fiskal të përshtatshëm për këtë teknologji.
Për të adresuar këto sfida, raporti sugjeron krijimin e një kuadri ligjor të dedikuar për automjetet elektrike, mbështetje fiskale për qytetarët dhe bizneset që investojnë në teknologjinë elektrike, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe sektorit privat. Në këtë kuadër bashkitë duhet të luajnë një rol më aktiv në zhvillimin e transportit të qëndrueshëm, përmes politikave të integruara urbane, tarifave të favorshme për investime në zona publike dhe krijimit të zonave me emetime të ulëta. Gjithashtu, raporti nënvizon rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit publik për përfitimet e makinave elektrike dhe përfshirjen e politikave të menaxhimit të mbetjeve të baterive dhe pajisjeve elektronike, në përputhje me direktivat e BE-së.
Studimi paraqet një panoramë të gjerë dhe të detajuar të situatës aktuale dhe potencialit për zhvillimin e makinave elektrike në Shqipëri. Ai ofron një bazë të fortë për hartimin e politikave kombëtare dhe vendore që synojnë të bëjnë të mundur një tranzicion të suksesshëm drejt një sistemi të transportit më të pastër, më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e vendit.
Në përfundim, kalimi drejt makinave elektrike në Shqipëri përfaqëson jo vetëm një nevojë urgjente për të përballuar pasojat e ndryshimeve klimatike, por edhe një mundësi reale për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies sociale. Realizimi i këtij tranzicioni kërkon një qasje të qartë strategjike, mbështetje institucionale të vazhdueshme dhe një angazhim të gjerë shoqëror.
Ky raport përmbledhës paraqet gjetjet kryesore të një vlerësimi të thelluar mbi qëndrimet dhe perceptimet e individëve, bizneseve dhe institucioneve financiare bankare në Shqipëri në lidhje me tranzicionin drejt përdorimit të makinave elektrike (EV). Studimi është realizuar në kuadër të projektit “Përdorimi i Makinave Elektrike – Një Domosdoshmëri Imediate për Zhvillimin e Qëndrueshëm (MEDI)”, dhe synon të kontribuojë në zhvillimin e një kuadri strategjik për transportin e qëndrueshëm në vend.
Në një periudhë kur Shqipëria përballet me sfida të ndërlikuara në fushën e mjedisit, ku sektori i transportit rrugor paraqitet si një nga kontribuuesit kryesorë në ndotjen e ajrit dhe emetimet e gazeve serrë, raporti synon të ofrojë një kuptim më të thelluar mbi shkallën e gatishmërisë së qytetarëve dhe aktorëve ekonomikë për të përqafuar teknologjitë e reja miqësore me mjedisin. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kontekstin e përpjekjeve të vendit për të përmbushur objektivat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane, të cilat parashikojnë një reduktim progresiv të varësisë nga burimet tradicionale të energjisë.
Studimi është zhvilluar përmes dy pyetësorëve të strukturuar: njëri i drejtuar qytetarëve (individëve) dhe tjetri subjekteve ekonomike dhe institucioneve financiare. Këto instrumente hulumtimi kanë siguruar një bazë të gjerë dhe të vlefshme të dhënash sasiore dhe cilësore mbi faktorët që ndikojnë në vendimmarrje, nivelin e informimit publik, barrierat financiare dhe teknologjike, si dhe perceptimet dhe pritshmëritë ndaj ndërhyrjes publike.
Rezultatet e grumbulluara tregojnë se ekziston një ndërgjegjësim i konsiderueshëm mbi problemet e ndotjes urbane dhe ndikimin që ka transporti në cilësinë e jetesës. Megjithatë, përkundër këtij ndërgjegjësimi, përhapja aktuale e makinave elektrike në përdorim të gjerë mbetet e kufizuar. Kalimi drejt këtij modeli të qëndrueshëm të transportit përballet me pengesa të natyrave të ndryshme – të cilat mund të kategorizohen në barriera ligjore, institucionale, ekonomike dhe infrastrukturore.
Nga perspektiva e individëve, vështirësitë kryesore lidhen me mungesën e infrastrukturës së karikimit të shtrirë dhe të besueshme, kostot relativisht të larta të blerjes fillestare, mungesën e nxitjeve financiare si dhe mungesën e informacionit të strukturuar dhe të besueshëm mbi përfitimet dhe mirëmbajtjen e makinave elektrike. Kjo tregon nevojën për politika gjithëpërfshirëse që të përmirësojnë qasjen, informimin dhe aksesin në teknologji për të gjithë shtresat sociale.
Në anën tjetër, për bizneset – veçanërisht ato që operojnë në sektorin e transportit, energjisë dhe qeradhënies së automjeteve – një nga kushtet thelbësore për të ndërmarrë investime në flotë elektrike është krijimi i një kuadri të qartë ligjor dhe rregullator, që përfshin standardizimin e infrastrukturës së karikimit dhe garancitë fiskale për investitorët. Aktualisht mungon një strategji kombëtare e mirëstrukturuar për përhapjen e EV-ve, si dhe politika të qëndrueshme fiskale që të ofrojnë ulje taksash, subvencione direkte, ose skema preferenciale për përdoruesit dhe operatorët.
Institucionet financiare, nga ana e tyre, tregojnë një gatishmëri të qartë për të përkrahur tranzicionin, përmes produkteve të posaçme financiare, si kredi të dedikuara, leasing me kushte të favorshme dhe mundësi për financim të plotë. Megjithatë, kjo gatishmëri është e kushtëzuar me mbështetjen e shtetit dhe garantimin e një tregu të qëndrueshëm, me potencial të zhvillimit në afatmesëm dhe afatgjatë.
Ky raport shërben si një shtesë e vlefshme ndaj raportit tematik “Vlerësimi i Kostove, Mundësive dhe Përfitimeve të Kalimit drejt Përdorimit të Makinave Elektrike”, duke sjellë në vëmendje edhe perspektivën sociale dhe institucionale të aktorëve të përfshirë. Ai konfirmon se ndonëse barrierat janë të shumta dhe komplekse, ekziston një bazë reale ndërgjegjësimi dhe interesimi në shoqëri dhe ekonomi që mund të shërbejë si pikënisje për ndërhyrje politike të targetuara.
Në përfundim, tranzicioni drejt përdorimit të makinave elektrike nuk përbën vetëm një përgjigje ndaj nevojave mjedisore dhe angazhimeve ndërkombëtare, por edhe një mundësi strategjike për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, përmirësim të shëndetit publik dhe rritje të cilësisë së jetës urbane. Për realizimin e këtij tranzicioni, është e domosdoshme ndërtimi i një vizioni të qartë afatgjatë, formulimi i politikave të koordinuara në nivel kombëtar dhe lokal, përfshirja aktive e bashkive, si dhe krijimi i mekanizmave ndërinstitucionalë dhe të bazuar në partneritete publiko-private. Angazhimi i të gjithë aktorëve institucionalë, ekonomikë dhe qytetarë është vendimtar për të shndërruar këtë mundësi në realitet.